Rritet kureshtja për të parë Tom Cruise edhe një herë në ekranin e madh në rolin e Pete “Maverick” Mitchell, në kapitullin e dytë të “Top Gun”. Por, aktori ka vendosur t’i bëjë fansat të presin, duke shtyrë xhirimet për “Top Gun: Maverick”.

Sipas “The Sun”, Tom Cruise vendosi t’i ndërpresë për momentin xhirimet e filmit të parashikuar të dalë në vitin 2020, sepse dëshiron të mësojë të pilotojë një avion luftarak, për ta bërë më realist filmin.

Aktori amerikan njihet për interpretimin e skenave aksion në filmat e tij. për “Mission Impossible” të vitit 2011 ngjiti kullën Burj Khalifa në Dubai, ndërsa për kapitullin “Fallout” (2018) realizoi një hedhje ushtarake me parashutë, që përdoret nga forcat speciale për t’u ifiltruar në zona armike pa u vënë re. Xhirimet e këtij filmi u ndërprenë për disa muaj, sepse Cruise nxori kaviljen duke u hedhur nga një ndërtesë në Londër, gjatë xhirimeve.