Pas kritikave të së bijës së Bruce Lee dhe të një nxënësi të aktorit të njohur aziatik, regjisori Quentin Tarantino u ktheu përgjigje se si filmi i tij “Once upon a time in Hollywod” e ka përfaqësuar yllin e arteve marciale:

“Bruce Lee ishte një lloj djaloshi arrogant”, -tha Tarantino gjatë një konference shtypi në Moskë. Në film, aktori, i interpretuar nga Mike Moh, shfaqet dy herë, edhe në një skenë së bashku me Brad Pitt.

“Mënyra se si fliste nuk është se e kam shpikur. E kam dëgjuar të thotë edhe se ishte në gjendje të ndeshej me Muhammad Ali. Madje edhe e shoqja, Linda Lee, e ka përmendur në një nga biografitë e saj. Absolutisht që e ka thënë”.

“Cliff mund ta mundë Bruce Lee? Ndoshta. Është një personazh imagjinar. Nëse them se Cliff mund ta mundë Bruce Lee, do të thotë se kam krijuar një personazh imagjinar i aftë ta bëjë një gjë të tillë”.