Autoriteti i Medies Audiovizive (AMA) njofton se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës, parashikuar për në datën 15 janar 2019, shtyhet për më 1 shtator 2019.

Në këto dy qarqe, aktualisht bashkekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike, kjo metodë simultane transmetimi, e cila garanton vazhdimësinë e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë periudhës tranzitore, do të vijojë deri në datën 1 shtator 2019.

Sipas AMA-s, kuadri ligjor që normon procesin e digjitalizimit kërkon domosdoshmërish pajisjen e plotë të audiencës me marrës numerikë, ose dekodera, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë kësaj periudhe tranzitore.

Ndërkohë, AMA po finalizon zbatimin e procesit të digjitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 shtator 2019. Edhe në këtë qark janë ndezur transmetimet numerike të operatorit publik dhe të disa prej atyre private kombëtare, prej të cilave ofrohet rreth dyfishi i kanaleve televizive pa pagesë, për ato familje që janë pajisur me dekoder DVB-T2.