A është mirë t’i lajmë rrobat në lavatriçe? Këtë debat e nxiti stilistja britanike Stella McCartney.

Vajza e ish-“Beatles”, Paul, foli për “Observer” dhe fjalët e saj bënë xhiron e internetit dhe rrjeteve sociale: “Nëse nuk do ta lash diçka, mos e laj”. Prej vitesh McCartney lufton kundër përdorimit të lavatriçes, si për të zgjatur përdorimin e veshjeve, si për të evituar ndikimin mbi ambientin.

Por, stilistja nuk është e vetmja që e mbështet këtë teori. Mes shumë të tjerëve, edhe administratori i deleguar i “Levi’s”, Chip Bergh, deklaroi në maj 2014 se nuk i ka larë asnjëherë xhinset që kishte veshur në momentin e intervistës. Dhe në mars të këtij viti tha për “CNN” se ende nuk i kishte larë.