I pritur nga shumë fansat, Ralph Fiennes prezantoi para publikut spanjoll, në teatrin “Alameda”, në Sevilje, filmin “The White Crow”, mbi balerinin rus Rudolf Nureyev, të cilin e adhuron aq shumë, saqë është shprehur se nuk mund të rrinte pa realizuar një projekt për të.

Në “European Film Awards”, që zhvillohet këtë fundjavë në Spanjë, aktori do të nderohet me Çmimin e Karrierës, për kontributin në kinemanë botërore. Në këtë event do të prezantojë dhe filmin e tij të fundit.

Në filmin e tij të tretë si regjisor, “The White Crow”, Fiennes tregon jetën e Nureyev në një biografi jotipike, që nga jetesa në ish-Bashkimin Sovjetik deri në turneun në Francë, ku dhe kërkoi azil politik për t’i shpëtuar regjimit sovjetik. Historia nis pikërisht me udhëtimin në Paris dhe vijon me kthime pas në kohë.

Filmi është bazuar në biografinë e shkruar nga Julie Kavanagh, që Fiennes e lexoi rreth 20 vjet më parë. “Edhe pse nuk e adhuroja shumë baletin dhe nuk dija shumë për Nureyev, u preka nga historia për jetën e tij; vegjëlia në Rusi, në vitet ’40, më pas vitet e rinisë, si student në Leningrad dhe më pas vendimi për të kërkuar azil në Perëndim, në vitin 1961. Më hyri aq shumë në zemër saqë s’mund të rrija pa realizuar një film për të”.