Pirateria televizive përmes IPTV po futet në lupën e organeve shtetërore. Digitalb po bashkëpunon ngushtë me AMA, AKEP dhe Policinë e Shtetit për të goditur subjekte piratuese.

Lufta ndaj piraterisë do të bëhet në baza institucionale. Dëmi ekonomik është i madh si për qytetarët ashtu dhe për platformat e licencuara televizive, por edhe për vetë shtetin që pëson rënie të ardhurave. Një mbledhje e posaçme i zhvillua mes përfaqësuesve të DigitAlb, Policisë së Shtetit, AMA-s dhe të AKEP të bashkërenduar luftën ndaj piraterisë.

Unë e kuptoj që kjo është një luftë shumë e rëndë sepse prapa kësaj piraterie janë miliona. Nga studimet tona, mendojmë se janë më shumë se 150 mijë abonentë të cilët kanë rënë pre e piraterisë televizive, kjo lloj piraterie është tashmë një pirateri e sofistikuar dhe si e tillë kërkon dhe nga ana jonë të sofistikohemi dhe të mbështetemi në baza sa më të sigurta ligjore për ta luftuar këtë fenomen”, tha Arben Taipi, administrator i DigitAlb.

Kryetari i AMA-s Gentian Sala tha se me AKEP është drejt përfundimit të një marrëveshjeje me dy institucione, e cila në thelb duhet të ketë goditjen në kohë reale të piraterisë përmes internetit.

Kurse zyrtarët e AKEP thonë se kompanive të internetit do t’u kërkohet llogari nëse kanë vepruar në kohë apo jo për mbylljen e subjekteve piratues, ndërkohë që do të formohen grupe inspektimi të përbashkëta me AMA-n.

Drejtuesit e lartë të policisë shprehën gatishmërinë për të mbështetur luftën ndaj piraterisë televizive, madje kërkesa ka dhe nga Interpoli, kurse nga subjektet që dëmtohet do të ofrohen prova për piratuesit.

DigitAlb do të bashkëpunojë dhe me institucionet përkatëse në Kosovë dhe Maqedoni për të luftuar piraterinë televizive, ndërsa në Shqipëri mund të bëhen dhe ndërhyje ligjore për të forcuar luftën ndaj këtij fenomeni.