Lady Gaga distancohet nga R. Kelly. Në vitin 2013, këngëtarja bashkëpunoi me të për “Do what U want”, por pas akuzave nga disa gra për abuzime dhe ngacmime seksuale nuk do më të ketë të bëjë me të. Gaga postoi një shkrim të gjatë në “Twitter”, ku e përkufizon veprimin e kolegut “të tmerrshëm” dhe njoftoi se do ta heqë nga të gjitha platformat këngën që ka realizuar me të.

Reagimi i Lady Gaga-s vjen pas transmetimit të dokumentarit “Surviving R. Kelly”, pak ditë më parë në “Lifetime”, ku shumë gra rrëfejnë se kanë qenë viktima të R. Kelly. “Më vjen keq, si për gjykimin e cekët kur isha e re si dhe që nuk fola më parë”, -shkroi Gaga.

Në këngën e shkruar me R. Kelly këndonte “bëj ç’të duash me trupin tënd” dhe tani justifikohet se “ishte një periudhë e errët e jetës së saj, kur ende nuk e kishte kaluar traumën e të qenit viktimë abuzimi”.