“Gjithçka ka ndryshuar për mos të ndryshuar gjë”. Kjo është motoja e protagonistëve të “La casa de papel”, seriali i “Netflix” në gjuhën spanjolle që ka pasur një sukses planetar.

Gati rreth katër vjet pasi nisën këtë aventurë të madhe që i ka shndërruar në yje botërorë, një pjesë e protagonistëve bënë prezantimin në Milano të sezonit 3 të serialit, që pritet të nisë më 19 korrik, në “Netflix”.

Suksesi i jashtëzakonshëm, është parë në 190 vende, bëri të nevojshme një sezon të tretë. “Njerëzit donin të dinin fatin e hajdutëve dhe ua plotësuam dëshirën. Është premtuar dhe një i katërt, por nuk mund të them më shumë”, -deklaroi Miguel Herran, që interpreton Rion.

I riu i serialit Luka Peros hyn në një analizë më politike: “”Bella Ciao”, duke marrë parasysh që është një këngë me origjinë antifashiste ka një domethënie të fortë, jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën. Është shndërruar në simbolin e rebelimit të njerëzve kundrejt sistemit, bankave dhe politikanëve. Njerëzit janë të lodhur me premtimet e pambajtura, me pasurimin e një grushti njerëzish, kërkojnë heronj dhe Robin Hood-ët që përmbysin idenë e së mirës dhe të së keqes janë ato që po kërkojnë”.