Regjisori i “Joker”, Todd Philips konfirmoi se ngjarjet e filmit janë krejtësisht origjinale dhe nuk është bazuar në asnjë material të “DC Comics”.

“Nuk kemi marrë asgjë nga filmat e animuar. Kemi shkruar versionin tonë për prejardhjen e një djali si Joker. Nuk do të jetë historia e tij, por se si është krijuar. Flasim për një burrë”.

Filmi, që pritet të dalë më 3 tetor, është tepër i pritur edhe për përfshirjen e aktorëve Joaquin Phoenix e Robert De Niro, si dhe të producentit Martin Scorsese.

Regjisori tha për “Empire” se Phoenix ka qenë gjithnjë zgjedhja e parë për personazhin: “Është një ndër aktorët më të mëdhenj në qarkullim. Kishim foton e tij mbi kompjuter ndërsa shkruanin skenarin dhe mendonim: “O Zot, imagjino sikur Joaquin ta bëjë vërtet””.