Më 28 gusht 1963, në fund të një marshimi proteste në Washington D.C., Martin Luther King, lideri i famshëm i lëvizjes për të drejtat e afro-amerikanëve dhe të luftës ndaj segregacionit, simboli universal i luftës kundër racizmit dhe padrejtësive, mbajti fjalimin që hyri në histori. Prej asaj dite, mbushen plot 56 vjet.

“Jam i lumtur që ju bashkohem në këtë demonstratë që do të hyjë në histori si më e madhja për lirinë. 100 vjet më parë një amerikan i madh firmosi “Proklamimin e Emancipimit”. Ky dekret fundamental erdhi si një dritë e madhe shprese për miliona skllevër zezakë që ishin djegur në zjarrin e padrejtësisë së hidhur. Erdhi si një agim i ndritur për t’i dhënë fund natës së gjatë të keqbërjes.

Por, 100 vjet më vonë, zezakët ende nuk janë të lirë; 100 vjet më vonë, jeta e zezakëve është ende, fatkeqësisht, e paralizuar nga prangat e segregacionit dhe nga zinxhirët e diskriminimit; 100 vjet më vonë, zezakët jetojnë ende në një ishull varfërie të veçuar në një oqean të gjerë të prosperitetit material; 100 vjet më vonë, zezakët vuajnë në kufijtë e shoqërisë amerikane dhe e gjejnë veten të internuar në tokën e tyre…”.