Dua Lipa është cilësuar si artistja me më shumë shitje gjatë 2018-s, e vetmja femër mes Top 10 për albumet e vitit. Renditja e publikuar nga “British Phonographic Industry” tregon se albumi i këngëtares me origjinë kosovare, i dalë në vitin 2017, ndodhet në vendin e nëntë të klasifikimit.

Ndër arritjet e vitit të kaluar është edhe “One Kiss”, këngë në bashkëpunim me Calvin Harris, e cila është e dyta më “streamed” e 2018-s, ndërsa “IDGAF” është e nënta më e dëgjuar në platformat “streaming”.

Vetëm katër në Top 20 albumet më të shitura janë realizuar nga femra: “Always In Between” i Jess Glynne në vendin e 14-të, “Sweetener” i Ariana Grande në vendin e 16-të dhe “The Architect” i Paloma Faith në të 17-in.

Sipas “BPI”-së, albumi më i shitur i vitit 2018 është ai me muzikën e “The Greatest Showman”. I dyti renditet “Staying At Tamara” i George Ezra, i ndjekur nga “Divide” i Ed Sheeran.