Arnold Schwarzenegger shpjegoi arsyet e problemeve për realizimin e “The Legend of Conan”. Personazhi i Conan barbarit është në qarkullim që prej vitit 1932, kur Robert E. Howard e krijoi për një histori për revistën “Weird Tales”. Në vitet ’80, Conan u bë i famshëm kur Schwarzenegger e interpretoi në dy filma, “Conan the Barbarian” dhe “Conan the Destroyer”.

Schwarzenegger foli për projektin gjatë një bashkëbisedimi dhe tha se “The Legend of Conan” ka pasur disa probleme gjatë zhvillimit, lidhur me të drejtat e autorit.

“Kur bëhet fjalë për filmin, gjëja më e trishtë është kur personat që kanë të drejtën e autorit të Robert E. Howard duan të tregojnë vizionin e tyre për karakterin. Personi në një fjalë, një djalosh, po kërkon të kuptojë se si të ecë përpara përmes Hollywood-it dhe nuk është e lehtë. Ka shumë ide, por kemi vite që po përpiqemi ta bindim se rruga e drejtë është një film tjetër “Conan”, me një regjisor të mirë dhe që të interpretoj personazhin kryesor, në moshë të avancuar, 70 vjeç. Nuk ka rëndësi se ku transmetohet, e rëndësishme është që të jetë një projekt fitues. Shpresoj që të bëhet shumë shpejt, sepse mendoj se është një ide e madhe”.