Arkivi Qendror Shtetëror sjell për publikun programin e parë të ciklit “Thesaret e Arkivit të Filmit” me projeksionin e filmit ”Smiles of a summer night” (“Buzëqeshjet e natës verore”) të regjisorit suedez Ingmar Bergman (1955). Filmi i vlerësuar nga kritikja amerikane, Pauline Kael, si “një punë gati e përsosur”.

Gjatë epokës së Kinostudios, filmat e kineastit të madh Ingmar Bergman nuk u lejuan të shfaqen. Nuk jemi të sigurt se si saktësisht, por një kopje në 35 mm e “Buzëqeshjet e natës verore” mbërriti në Shqipëri, u vendos në një raft të AQSHF-së, dhe priti për dekada të tëra.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, kjo kopje pothuajse prestine e filmit që shndërroi regjisorin Ingmar Bergman në një superstar ndërkombëtar, do të shfaqet në Tiranë, në festim të 100-vjetorit të lindjes së kineastit të madh.

“Thesaret e Arkivit të Filmit” është një program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor.

Filmi vjen për publikun në kinema “Agimi” në orën 19:00 nën prezantimin e studiueses Blerina Hankollari.