Investimi i bërë nga “Apple” për prodhimin e serialeve dhe filmave origjinalë llogaritet rreth 6 miliardë dollarë, për lançimin e shërbimit streaming “TV+”, me të cilën Shtëpia e Mollës synon të sfidojë “Netflix”, “Disney” e “HBO”.

“Financial Times” shkruan se investimi mori hov nga 1 miliard dollarë parashikuar në fillim deri në shumën aktuale, duke angazhuar yje hollivudianë si Jennifer Aniston, Reese Witherspoon e Steve Carell, protagonistë të “The Morning Show”, me një kosto për episod më të lartë edhe se “Game of Thrones”.

Investimi i “Apple”, që synon një arkiv me prodhime origjinale, gjithsesi është inferior ndaj 15 miliardë dollarëve të “Netflix” për këtë vit.

Shërbimi i ri “TV+” pritet të jetë funksional në muajt e ardhshëm, në kohë për të rivalizuar lançimin e “Disney Plus”, që pritet të debutojë në nëntor në SHBA.