Greta Thunberg ka treguar se nuk je asnjëherë tepër i ri në moshë për të ndryshuar botën. Aktivistja 16-vjeçare suedeze për mbrojtjen ambientale nga ndryshimet klimaterike u nominua për “Nobelin” për Paqe.

“Time” shkruan se legjislatorët norvegjezë nominuan aktivisten e re, “sepse kërcënimi klimaterik mund të jetë një ndër shkaqet kryesore për luftën dhe konfliktet. Lëvizja e madhe që Greta ka nisur është një kontribut tepër i rëndësishëm për paqen”.

Me fushatën e saj “Friday for Future”, Greta ka frymëzuar qindra mijëra nxënës e studentë për të protestuar të premteve para shkollave, në tentativë për të shtyrë politikën të reagojë.

Këtë të premte, 15 mars, protesta e saj arriti përmasa planetare. Në 1659 sheshe të 105 vendeve të botës, të rinjtë u bënë protagonistë të një greve shkollore në emër të shkencës. Nuk munguan as të rriturit.

Sipas një raporti të OKB-së, temperaturat globale mund të rriten me rreth 1.5 gradë celsius, që sipas shkencëtarëve do të sjellë pasoja të rënda për planetin që prej vitit 2030, gjithnjë nëse emetimi i gazit serrë do të vijojë me ritmet aktuale.