Festivali i paqes, i dashurisë dhe muzikës, Woodstock, shënon përvjetorin e tij të 50-të dhe ka ndezur një valë nostalgjie për një epokë kur roku ishte për të rinjtë, hipitë ishin trendi dhe flokët e gjata ishin një markë.

Festivali i famshëm u zhvillua në datat 15-18 gusht dhe në të morën pjesë më shumë se 400 mijë vetë. 4 ditë paqe dhe muzikë në një fermë në Bethel, në New York, 70 km në jugperëndim të Woodstock-ut.

Në vitin 2017, vendi ku u zhvillua festivali u përfshi në regjistrin kombëtar të vendeve historike.

Organizatori i asaj që u bë një ndër etapat e rëndësishme të historisë së muzikës dhe kulturës hipi ishte 20-vjeçari Michael Lang.

Në pak kohë arriti të bënte bashkë emra të njohur të asaj kohe: Richie Havens, Swami Satchidananda, Sweetwater, Country Joe McDonald, John Sebastian, The Incredible String Band, Bert Sommer, Tim Hardin, Ravi Shankar, Melanie Safka, Arlo Guthrie e Joan Baez, protagonistë të ditës së parë.

Quill, Keef Hartley Band, Santana, Canned Heat, Mountain, Janis Joplin & The Kozmic Blues Band, Sly & the Family Stone, Grateful Dead, Creedence Clearwater Revival, The Who, Jefferson Airplane, interpretuan ditën e dytë.

Ndërsa për mbylljen u ngjitën në skenë The Grease Band, Joe Cocker, Country Joe and the Fish, Ten Years After, The Band, Blood, Sweat & Tears, Johnny Winter, Crosby, Stills, Nash & Young, Paul Butterfield Blues Band, Sha-Na-Na e Jimi Hendrix.