“100 vjet vetmi” zbarkon në “Netflix”. Pesë vjet nga vdekja e autorit, kolosi i streaming njoftoi se mori të drejtat e autorit të kryeveprës së Gabriel Garcia Marquez.

Saga e familjes Buendia, ku patriarku José Arcadio themeloi qytetin imagjinar kolumbian Macondo, do të transmetohet në spanjisht, siç donte dhe Gabo. Do të jetë hera e parë që romani i publikuar në vitin 1967 do të ketë një adaptim për ekran dhe jo se nuk ka pasur interes. “New York Times” shkruan se fëmijët e shkrimtarit Rodrigo dhe Gonzalo Garcia, të cilët do të jenë dhe producentët ekzekutivë të filmit, thanë se ka pasur shumë oferta, por i ati nuk ka dashur asnjëherë, sepse sipas tij nuk do të funksiononte nëse përkthehej në një film të vetëm. Gjithashtu, Garcia Marquez dëshironte që filmi të ishte në spanjisht dhe shumë diskutime nuk patën sukses.

“100 vjet vetmi” është konsideruar një kryevepër e letërsisë latino-amerikane, janë shitur rreth 50 milionë kopje dhe është përkthyer në 46 gjuhë. Adaptimi për “Netflix” do të xhirohet në Kolumbi dhe interpretuesit do të zgjidhen mes aktorëve më të mirë latino-amerikanë.